Qeveria zgjatë edhe për 30 ditë masat emergjente për furnizim me energji

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar vendimin për vazhdimin e masave emergjente të furnizimit me energji.

Përmes këtij vendimi, Qeveria i propozon Kuvendit të Republikës së Kosovës, zgjatjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes në nivel të shtrirjes dhe kohëzgjatjes së nevojshme.

Zgjatja e këtyre masave bëhet për shkak të rritjes se kërkesës për energji dhe gjendjes jostabile të furnizimit me energji elektrike. Mungesa e energjisë, vjen si pasojë e vjetërsisë së kapaciteteve aktuale gjeneruese, investimet parciale në këtë sektor dhe rritja e vazhdueshme e konsumit. Kjo shtron nevojën emergjente të zgjatjes së masave për 30 ditë, për shkak të nevojave që mund të paraqiten nga pasojat e krizës energjetike ndërkombëtare.