Kosova luan sot ndaj Ishujve Faroe, synohet të mbyllet viti me fitore

Përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvilloj ndeshjen e fundit për vitin 2022. 

Trajneri i Kosovës, Alain Giresse për dy ndeshjet miqësore të nëntorit grumbulloi disa lojtarë të rinj që janë potencial për ta bartur barrën kryesore në të ardhmen te Dardanët.

E në ndeshjen e parë të zhvilluar ndaj Armenisë, Kosova barazoi me rezultat 2-2, në një ndeshje ku pati shumë gabime.

Ditën e sotme (e shtunë), Dardanët do të përballen me Ishujt Faroe me fillim nga ora 18:00 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në kryeqytet.

Të besuarit e Alain Giresse duan ta mbyllin me fitore këtë vit dhe Kosova është edhe favorit në letër.

Kjo e sotmja do të jetë ndeshja e katërt mes dy ekipeve përfaqësuese, të cilat janë përballur edhe më parë.

Dy fitore i kanë takuar Kosovës me rezultat identik 2-0, derisa dueli i vetëm i zhvilluar në Ishujt Faroe kishte përfunduar pa fitues 1-1 në tetor të vitit 2018.

SHARE