Kosova e interesuar të rrisë bashkëpunimin me Turqinë për sigurinë e shtetit

Kosova është e interesuar që bashkëpunimi me Turqinë të shtrihet në ekspertiza specifike që do të kontribuonin në sigurinë e përgjithshme të Kosovës, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas takimit që ka pasur me homologun Ali Yerlikaya në Ankara.

Në një shkrim në Facebook, Sveçla ka thënë se Kosova ka gëzuar përkrahjen e Turqisë që nga shpallja e pavarësisë e përgjatë procesit të shtetndërtimit, veçanërisht në fushën e sigurisë përmes ngritjes së kapaciteteve njerëzore dhe atyre teknike.

“Në këtë takim, shpreha mirënjohjen për marrëdhënien e shkëlqyeshme si dhe diskutuam sfidat aktuale dhe mundësitë e reja për thellimin e bashkëpunimit, me theks në fushën e sigurisë dhe teknologjisë në të cilat Turqia ka shënuar arritje mbresëlënëse. Në frymën e gatishmërisë për të shkëmbyer përvojat më të mira dhe arritjet në fushat që Ministritë tona mbulojnë, me mirënjohjen për mbështetjen nga shteti turk, shpreha interesin që ky bashkëpunim të shtrihet edhe në ekspertizat specifike që do të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme në Republikën e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Para disa muajsh, Kosova u pajis me dronë Bayraktar nga Turqia. E në disa raste, zyrtarët e lartë shtetërorë kanë paralajmëruar bashkëpunim të mëtejmë me Turqinë për t’i ngritur kapacitetet ushtarake të Kosovës.