Mikel Gojani dhe libri i tij më i ri: “SHPIRTËZIME KRIJUESISH NË KOHË TË ACARTA”

Shkruan: Lekë Mrijaj

Vepra e krijuesit Mikel Gojani: “SHPIRTËZIME KRIJUESISH NË KOHË TË ACARTA” (Impresione vizitash e takimesh me krijues në Shqipëri prej vitit 1990 e këndej), është edhe një kontribut tjetër madhor i mendimit të tij krijues, i vështrimit, pikëpamjes dhe opinionit, të tij letrar. Botoi: SHB LENA, PRISHTINË 2020; Fq. 135, ISBN 978-9951-27-307-7.
Krijuesi Gojani, para disa ditësh ka dalë para lexuesit edhe me këtë vepër ashtu si çdoherë me veprat e tij që ngërthejnë vlera të rëndësishme dhe me interes për lexuesit. Pikërisht, doli i arrirë dhe tejet i kompletuar në rrafshin letrar e dokumentar, i cili në veprën e tij prezanton momente të ndryshme nostalgjie e përjetimi me personalitete madhore të letrave shqipe, në shkallë vlerash të larta më të frytshme dhe më të suksesshme.
Shkrimet e tij në libër janë ndaras në formë rrëfimi e që plotësohen me elemente tjera të përshkrimit të detajuar dokumentar, rrëfimit letrar, por të bazuar në ngjarjet faktike dhe të sakta, të përjetuara nga vetë autori në periudha të ndryshme të jetës nga kohët e paraluftës dhe pasluftës.
Vepra që në fillim hapet me hyrjen me titull: NË VEND TË PARATHËNIES në ç’rast autori i librit Mikel Gojani, veç tjerash thotë: “Për ta njohur letërsinë, artin dhe kulturën tonë mbarëkombëtare, për gjysmë shekulli ka një kufi që ka ndarë një popullatë një gjaku, gjuhe, flamuri, kuptohet, për të mos njohur asnjë , prandaj edhe letërsinë, artin dhe kulturën e kombit që i takon.” Pikërisht ai përmend disa impresione të tija nga bota letrare si dhe takimin në Shqipëri me shkrimtarin Ismail Kadare, me Dhimitër Xhuvanin, Lasi Lerën, Moikom Zeqon, Pjetër Nikollën dhe studiuesin e mirënjohur Agron Fico etj, dhe takimet tjera të zhvilluara në Kosovë me shkrimtarin Mirko Gashin, Xhevahir Spahiun, qe siç thotë autori se qëllimi i vetë këtyre mbresave është i lidhur me faktin e mesazhit shumë domethënës dhe kuptimplotë i fjalës latine “Fjalët i merr era, ajo që shkruhet mbetet“ (Verbavolant, scriptamanent) e kjo shprehje na vjen edhe nga indianët, kinezët, grekët e vjetër etj.
Rreth veprës në fjalë është dhënë edhe një analizë e mprehtë studimore nga redaktori dhe recensenti i këtij libri, shkrimtari Prend Buzhala, i cili në recensionin e tij të thuktë veç tjerash tha: “Mikel Gojani na e thotë nëpërmes shkrimeve të tij: se ky impresion, më i forti, më i pashlyeri, është ai me shkrimtarët në vendin amë, siç e quanim dikur Shqipërinë. Shqipëria ishte ideali i ëndrrave shqiptare të Kosovës, vend i idealizuar tej mase (e kush nuk e idealizon mëmën e tij, sidomos atdheun mëmë). E pra: mbresa, shkrimtari, takimi, letërsia, preokupimet për fatin e kombit andej e këndej kufirit- janë disa punkte ku pjesë – pjesë ndalon autori. 1. Në kapërcyellin historik të kohëve. 2. Shkrimi i dëshmisë. 3. Hapi i parë i rëndësishëm ose mendja e hapur etj.” Recensën e kompletuar të librit mund ta do të mund ta lexojmë në faqet 117-126.
Të tilla shkrime të përmendura dhe bashkëbisedime e kronika tjera të ndryshme në këtë vepër i gjejmë, nga bota letrare e kulturore: shkrimtarin Ismail Kadare, shkrimtarin Bardhyl Londo, shkrimtarin Nasi Lera, Adem Istrefi, Adelina Mamaqi, Agim Gjakova, Skënder Buçpapaj, Dhimitër, Moikom Zeqo, Mirko Gashi, Sulejman Mato, Pjetër Nikolla, Teodor Laçon, Fatos Kongolin, Vath Koreshin, Koçi Petritin, Izet Durakun, studiuesit Rrok Zojzin, Frrok Çupin, artistët Ndrekë Lucën, Liza Vorfin dhe Liljana Kondakçi, studiuesin e mirënjohur Agron Fico etj., si dhe mjaft tema të tjera me interes të veçantë letrar e kulturor, që do të thotë se me këtë vepër diktohet mëtimi i autorit i cili zellin dhe sensin e tij prej intelektuali të kujdesshëm, ai pothuajse i vë shenjën pikante mendimit të analizës letrare, prezantimit, vështrimit, krijimit, debatit, dhe shtjellimeve të tjera tematike, që ngrit brenda këtyre vështrimeve dhe tematikës në veprën: “SHPIRTËZIME KRIJUESISH NË KOHË TË ACARTA”- (Impresione vizitash e takimesh me krijues në Shqipëri prej vitit 1990 e këndej).
Si përfundim i këtij recensioni nga këndvështrimi im lirisht mund të konstatoj se edhe shkrimtari Mikel Gojani përfshihet skaj autorëve tejet të rëndësishëm të letërsisë së sotme shqiptare. Librat e tij na ofrojnë mundësi të shumta interpretimi dhe diskutimi për të.
Ndaj, edhe fare në fund për librin në fjalë e përgëzoj autorin, shkrimtarin Mikel Gojanin, duke i dëshiruar shëndet e jetë të gjatë dhe krijimtari të begatë në fushën e artit letrar, që të na sjell edhe shumë libra të tjerë me vlera të çmuara të gjithëmbarshme letrare.