Komuna e Malishevës thotë se IKSHPK ka ngatërruar vendbanimin e një pacienti me koronavirus

Sonte Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka konfirmuar edhe 207 raste pozitive me koronavirus, një prej të cilëve sipas këtyre të dhënave është nga Komuna e Malishevës,

Nga kjo komunë përmes një njoftimi kanë deklaruar se IKSHPK ka ngatërruar vendbanimin e një pacienti, pasi thonë se i njëjti është nga një fshat i një komune tjetër fqinje me Malishevën.

“Sonte nuk është regjistruar asnjë rast me COVID-19 nga Malisheva. Në komunikatën e lëshuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, është ngatërruar vendbanimi i një pacienti, që është regjistruar nga Malisheva, sepse i njëjti është nga një fshat i një komune tjetër fqinje me Malishevën”, thuhet në njoftim.

Konfirmimi i kësaj ngatërrese është bërë nga familja e pacientit të prekur, të cilët kanë deklaruar se janë nga një fshat i një komune fqinje me Komunën e Malishevës.

“Megjithatë, Shtabi Komunal për Menaxhimin e Situatës me COVID-19 në Komunën e Malishevës, edhe sonte, ju ka bërë thirrje qytetarëve, që të vazhdojnë të respektojnë masat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore, për mbajtje të maskave mbrojtëse dhe masat tjera, me qëllim të luftimit të përhapjes së virusit”, përfundon njoftimi./