Manaj: Edhe Muriqi në fillim ka luajtur në Ligën e Parë, do punoj shumë që të arrijë majat e futbollit

Sulmuesi Arb Manaj gjatë verës bëri një hap të madh duke kaluar nga Trepça ’89 në Turqi te Ankara Keçiörengücü.

22 vjeçari deri tani ka zhvilluar 3 ndeshje, duke shënuar 2 gola.

Të mërkurën ai debutoi me sukses në Kupën e Turqisë kundër Tepecikspor. Në një prononcim për Indeksonline, Manaj thotë se ende nuk është adoptuar plotësisht më futbollin në Turqi.

“Normal që ende nuk jam adoptuar plotësisht sepse këtu luhet sistem ndryshe dhe duhet kohë për tu adoptuar. Mendoj se dallimi është së këtu futbolli është më shumë fizik dhe ka më shumë ritëm” theksoi Manaj.

Reprezentuesi i Kosovës U21 shpreson të ndjekë hapat e Vedat Muriqit për të arritur majat e futbollit.

“Të gjithë e dimë që Vedat Muriqi ka luajtur nga fillimi në Ligën e Parë të Turqisë. Unë do të punojë shumë që një ditë të arrijë majat e futbollit” shprehet sulmuesi nga Klina.