Kërkohet mbulimi i shpenzimeve të udhëtimit për policët

Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon nga institucionet kompetente që të mbulojnë shpenzimet e udhëtimit për të gjithë pjesëtarët e policisë të cilët bëjnë kilometra të tëra rrugë për të shkuar deri te vendi i punës.

Në rrugët e Kosovës shpesh herë hasim polic të uniformuar duke bërë autostop e duke pritur gjatë nëpër stacione për të shkuar apo për tu kthyer nga detyra zyrtare.

E kjo praktikë nuk është aspak e mirë për institucionin që konsiderohet ndër më të besuarit dhe profesional në nivel vendi.   

“Një numër i madh i punonjësve të PK-se janë të transferuar në detyra dhe njësi të ndryshme, për shkak të nevojës dhe natyrës së punës në institucionin policor e të cilët udhëtojnë me kilometra të tëra. Andaj vlerësohet si shumë e nevojshme mbulimi i shpenzimeve të udhëtimit që policët tanë të profileve të ndryshme, të mos mbesin në rrugë duke pritur transporte apo duke bërë autostope në rrugë, pasi ata udhëtojnë në orare të ndryshme dhe në mungesë të transportit mund të hasen në rrugë nga persona të ndryshëm. PK-ja mbulon vetëm disa rajone me pak linja kryesore me nga një autobus dhe nuk ka zgjidhje transporti për të gjithë punonjësit e PK-se”, thuhet në letrën që sindikata ja ka nisur kryeministrit, ministrit të MBP-së dhe atij të MF-së.

Zyrtarët e sindikatës kanë thënë se pasi kanë realizuar disa takime me ministrin Xhelal Sveçla, kanë vlerësuar që të realizojnë një takim zyrtar edhe me kryeministrin, Albin Kurti dhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati, me qëllim të diskutimit dhe njoftimit me kërkesat dhe nevojat e pjesëtarëve të policisë.

“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe të bashkëveprojmë në jetësimin e projekteve për përmirësimin e mirëqenies në Policinë e Kosovës”, thuhet në fund të letrës.