KE-ja heq pjesën ku i kërkonte Malit të Zi e Maqedonisë që t’i vënë viza Kosovës

Komisioni Evropian ka ndryshuar raportin në të cilin kishte kërkuar nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut që të vendosnin regjim të vizave më Kosovën.

Në raportin e pestë të KE-së nën mekanizmin për pezullim të vizave, i cili i ishte dorëzuar Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian, fillimisht ishte propozuar nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut t’i vendosnin regjim vizash disa shteteve, në mesin e tyre edhe Kosovës.

Komisioni Evropian pranoi se ishte bërë një lëshim në atë raport. Kurse, raporti tashmë është rregulluar edhe në faqen e Komisionit Evropian, ku më nuk figuron ai rekomandim.

“Kosova është hequr nga pjesa e kapitujve për Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi”, thuhet në njoftim në fillim të raportit.