Jasharaj: Nëse Ligji i Pagave kalon, janari mund të jetë i qetë

Viti 2022 po konsiderohet si viti më i vështirë për kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, pasi për më shumë se një muaj, arsimi në vend u përballë me greva.

Jasharaj ka folur edhe për Ligjin e Pagave, për të cilin thotë se kanë marrë zotime se i njëjti do të votohet të enjten.

Kritika ka pasur në drejtim të Qeverisë së Kosovës, me ç’rast thotë se përkundër shkresave për dialog, kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Së bashku me kolegë e kemi vlerësuar si vitin më të vështirë pas luftës vitin 2022, ngase që nga fillimi është vërejtur një mungesë e qasjes së duhur, gjegjësisht kemi pasur një qasje të gabuar të Qeverisë Kurti ndaj sindikatave por edhe ndaj dialogut, ngase edhe për kundër dhjetëra shkresave qoftë në emër të BSPK-së por edhe të SBAShK-ut, nuk janë përfill kërkesat tona për dialog dhe çdo gjë e kanë vendosur ata siç kanë menduar vet, dhe më e keqja e kësaj ka ndodhur sepse nuk kishim informacione të duhura dhe na iku ai premtimi që e dha Sveçla se në mars do ta kemi ligjin e pagave, e të cilit i besuam në deklarata, por ndodhi që nuk u bë”, tha Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se versioni i dalë në medie për Ligjin e Pagave është i mirëseardhur. Ai thotë se ka marrë zotime nga ministrja Arbërie Nagavci, se Ligji është në përputhje me kërkesat e SBAShK-ut.

“T’u them të vërteten kur dol ai versioni i parë që Qeveria e mohoi, ne edhe ndaj atij versioni reaguam dhe në bashkëpunim me MAShT-in ne dërguam versionin tonë duke i thirrur ekspertët e fushës dhe dërguam mendimin tonë për koeficientin që nga çerdhet deri në universitet dhe një pjesë e kulturës është me ne dhe edhe ata dërguan komentet që ne pastaj i dërguam në MAShT, dhe kjo e fundit i mori përsipër që të punojë në një version të tyre dhe na kishin thënë se i tyri dhe i yni janë goxha të ngjashëm dhe nuk paraqiste ndonjë problem”, thotë Jasharaj për EO.

Teksa ka folur për mundësinë që këtë vit të kalojë në lexim të dytë Projektligji i Pagave, Jasharaj thotë se janari mund të jetë i qetë dhe se greva mund të mbyllet tërësisht.

“Opinioni duhet ta kuptojë qartë sepse ne nuk kemi mundur të vendosim ndryshe ngase e kishim një rezultat ndryshe, ngase e kishim një rezultat të ngushtë pro pezullimit dhe për të vazhduar grevën dhe e vetmja mundësi kur kemi situata të tilla të mos mbyllet greva, kjo nënkupton se greva mbetet si opsion i hapur dhe këtë afat e kemi lënë deri në janarin e vitit 2023. Po shkuan gjërat ashtu siç duhet po dolën të vërteta deklaratat e zonjës Nagavci dhe deputetët e bëjnë punën e tyre (e votojnë Ligjin e Pagave), atëherë në janar mund të kemi lajme të mira dhe mund të merret vendimi për mbyllje të grevës”, u shpreh Jasharaj.