Italia vendos masa të reja kufizuese, këto rregulla vlejnë për qytetarët që duan të vijnë në Kosovë

Ambasada e Kosovës në Itali ka njoftuar shtetasit kosovarë për masat e reja që janë ndërmarrë nga qeveria italiane.

Ambasada kërkon nga të gjithë shtetasit kosovarë me vendbanim/qëndrim në Itali të respektojnë masat dhe protokollet parandaluese anti Covid-19, të përcaktuara në Dekretin e Qeverisë italiane të datës 18 dhjetor 2020, në të cilin parashikohen masat si në vijim:

– Nga 24 dhjetor deri me 06 janar 2021 territori italian i nënshtrohet kufizimeve të lëvizjes dhe qarkullimit midis komunave dhe rajoneve, zhvendosjet lejohen vetëm për arsye pune, shëndetësore dhe nevoja urgjente. Të gjithë ata që lëvizin duhet të paraqesin vetë-deklaratë ku dëshmohet arsyeja e lëvizjes, transmeton Telegrafi.

Rregullat gjatë periudhës festive:

– Zone e kuqe në të gjithë Italinë në datat 24, 25, 26, 27 dhe 31 dhjetor 2020, si dhe më 1, 2, 3, 5, 6 janar 2021. Në këto data, çdo lëvizje midis rajoneve është e ndaluar;Zona portokalli në datat 28, 29, 30 dhjetor dhe 4 janar 2021. Zhvendosjet lejohen vetëm për arsye pune, nevoja urgjente dhe shëndetësore. Të gjithë ata që lëvizin duhet të paraqesin vetë-deklaratë;

– Udhëtimet Itali-Kosovë dhe anasjelltas lejohen vetëm në raste urgjente të dëshmuara:

– Kthimi/hyrja në Itali obligon të gjithë shtetasit të pajisen me testin PCR, si dhe vetë izolimin 10 ditor dhe mbikëqyrjen shëndetësore;

– Kalimi tranzit nëpër Itali: të gjithë shtetasit kosovare që udhëtojnë nga shtetet e BE-së mund të kalojnë tranzit përmes rrugëve tokësore në territorin Italian, duke plotësuar formularin e vetëdeklarimit ku shpjegon qartë qëndrimin në 14 ditët e fundit, si dhe duhet të lëshojnë territorin italian brenda 36 orëve.

– Gjatë kësaj periudhe, Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali do të ofrojë shërbime konsullore vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe urgjente, si në vijim: lëshimi i vërtetimeve për vdekje (N.O.), aplikim per pasaportë në rast të skadimit të leje-qëndrimit italian dhe lëshimi i fletëudhëtimit në rastet kur dëshmohet domosdoshmëria për të udhëtuar në Kosovë.

Ambasada tutje njofton se të gjitha shërbimet tjera konsullore shtyhen për një datë tjetër, sapo kushtet shëndetësore dhe ligjore në vend ta lejojnë një gjë të tillë.

Gjithashtu, ambasada e Kosovës në Itali ka publikuar edhe disa kontakte për shtetasit kosovarë