Ish-kryeprokurori Sylë Hoxha: Ka pasur njerëz që intervenonin për Radoiçiqin për heqjen e fletarrestit

Ish kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha ka zbuluar detaje nga arratisja e Milan Radojiçiq në vitin 2018.

Sipas tij ka pasur “misionarë” që kërkonin që t’i hiqet fletëarresti Radojiçiqit.

“Nuk mund ta them, nuk mund të aludojë në diçka të tillë se nuk kam pasur aso informacione. Unë e di që ka pasë lëvizje se qysh me ia bë, le të kthehet, me ia hjek fletëarrestin. Unë iu kam përgjigjur “misionarëve” të tillë se vetëm sipas kodit të procedurës penale, le të bashkëpunojë me drejtësinë, le të dorëzohet, ne do t’ia japim ato prioritetet të cilat i takojnë, përndryshe edhe ai duhet t’i nënshtrohet ligjit si çdokush tjetër”, tha Hoxha për T7.

Hoxha ka treguar se ka pasur tentativa prej disa njerëzve, por që sipas tij nuk u morën parasysh.

Ka pasur disa tentativa prej disa njerëzve se a mund të vij ai në Kosovë, a mund të dorëzohet e kështu me radhë. Ka pasur disa tentativa mirëpo ne kemi qenë mjaft të vendosur në atë kohë dhe nuk kemi lëshuar pe se edhe s’kemi pasur arsye as bazë ligjore. Po flas për veprimet e mia që i kam marrë”, tha Hoxha.

Në nëntorin e vitit 2018, Policia e Kosovës kishte ndërmarrë një aksion për të arrestuar disa persona si të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Gjatë këtij aksioni u arrestuan disa persona, por Milan Radojiçiq nuk u gjet në banesën e tij.

Ndërsa dje Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar pamje të reja të sulmi në Banjskë, ku shihen terroristet serbë.

Sveçla ka thënë se në këto pamje shihet krimineli, Milan Radojçiq.