Isak Shabani i PDK-së për Gjykatën Speciale: Kjo gjykatë është e padrejtë sepse është selektive

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës, Isak Shabani, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka folur për dënimin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt dje nga Gjykata Speciale.

Ai tha se Gucati e Haradinaj nuk kanë bërë asnjë krim.

Gjithashtu, Shabani tha se kjo gjykatë është e padrejtë sepse është selektive.

“Kjo gjykatë është e padrejtë sepse është selektive”

“Një shpresë e vogël na mbante deri dje, por gjykata dje dënoi drejtësinë dhe jo çlirimtarët”, tha deputeti i PDK-së.

Ai, po ashtu foli edhe për mënyrën se si u shpall aktgjykimi.

“Për ironi, dënimi ndaj tyre u shqiptua në emër të popullit të Kosovës. Po iu themi që Kosova është me bijtë e vetë si dhe jemi kundër absurdeve që bartin emrin drejtësi, e në fakt janë padrejtësi”, tha deputeti Shabani.

Gucati e Haradinaj janë dënuar të martën nga Gjykata Speciale me 4 vite e gjysmë burg duke llogaritur edhe kohën sa ata kanë qenë në paraburgim.