Gjakovë, edhe dy muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për vrasjen e Sefer Berishës

Behare Nura dhe Granit Alushani, të dyshuar për vrasjen e Sefer Berishës, do qëndrojnë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë.

Prokuroria po dyshon se Granit Alushani dhe Behare Nura së bashku me tani të akuzuarën Nafije Rrafshi, e kanë vrarë  Sefer Berishën.

Sipas aktvendimit të siguruar nga KALLXO.com, pas kërkesës së Prokurorisë dy të dyshuarve iu është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj, përkatësisht deri më 26 mars 2020.

Seanca që ishte planifikuar të mbahej këtë muaj, me kërkesë të prokurorit Ali Uka ishte shtyrë për një kohë të pacaktuar, me qëllim që Prokuroria të bëjë zgjerimin e hetimeve dhe të aktakuzës.

Në muajin dhjetor, pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Gjakovës kishte vendosur një muaj paraburgim të dyshuarve Granit Alushani dhe Behare Nura, në rastin e vrasjes së Sefer Berishës.

Këtë vendim gjykatësi Pozhegu, e kishte arsyetuar se nëse të njëjtit gjenden në liri do të mund të rrezikonin rrjedhën e procedurës penale, të ndikonin në dëshmitarë, e po ashtu duke mos anashkaluar edhe rrezikun e ndonjë hakmarrjeje të mundshme.

Ky rast, dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “Habib Zogaj” në Malishevë, me 8 gusht të vitit 2018, për motive ende të panjohura.

Kërkesa e Prokurorisë e shpjegonte rastin e vrasjes së 57 vjeçarit:

“Përderisa në veturë ishte tashmë e akuzuara Nafije Rrafshi bashkë me dy të arrestuarit e tjerë, për një moment Nafija e ndal veturën, dhe bashkë me dy të pandehurit tjerë Granit Alushani dhe Behare Nura,  i afrohen veturës së tani të ndjerit, ku njëri prej të pandehurve gjuan nga jashtë automjetit në drejtim ku ishte i ulur i ndjeri, duke e qëlluar atë në anën e majtë në qafë, kokë dhe veshin e djathtë, duke e privuar të njëjtin nga jeta, dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”- thuhej në kërkesën e Prokurorisë.

Prokuroria thotë se ky veprim është bërë me revolen e tipit TT kalibër 7.62 mm.

Kallxo.com ka raportuar kur të njëjtit janë arrestuar dhe më pas kanë dalë para gjyqit.

Akuza ndaj Nafije Rrafshi, e cila tashmë po gjykohet:

Ky rast i vrasjes në Lladrovc të Malishevës, për çka po gjykohet Nafije Rrafshi, kishte vazhduar të bëhej gjithnjë e më i paqartë.

Fillimisht nga organet policore për këtë rast të vrasjes së 4 Gushtit 2018, ishte arrestuar një mashkull.

Mirëpo më pas, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë kishin gjetur si të dyshuar Nafije Rrafshin.

E dyshuara ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit 2018.

Nafije Rrafshi e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishes dhe për armëmbajtje pa leje, ishte deklaruar e pafajshme për vrasjen ndërsa kishte pranuar se kishte mbajtur armë pa leje.

Sipas Prokurorisë, përmes aktakuzës së ngritur në muajin janar 2019, kjo ngjarje ka ndodhur për arsye ende të panjohura për ata.

Aktakuza shpjegon se Nafije Rrafshi në fshatin Lladrovc të Malishevës, kishte vrarë tani të ndjerin Sefer Berishën 57 vjeçar.

Në aktakuzë thuhet se derisa Sefer Berisha ishte duke e vozitur automjetin e tij të udhëtarëve dhe ndalet në një breg në afërsi të një pylli, e pandehura Nafije shkon dhe i ulet në ulësen e pasme.

Pas një fjalosjeje dhe kacafytje e njëjta nga çanta e saj nxjerr revolen dhe e qëllon të ndjerin disa herë dhe më pas largohet nga vendi i ngjarjes- thuhet në aktakuzë

SHARE