Vuçiq: Biden nuk do të jetë në favor të Serbisë, do të kemi presion për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar deklaratat që u thanë në konferencën dëgjimore të Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, ku morën pjesë ish-diplomatë amerikanë dhe ekspertë të çështjes së Ballkanit.

E përbashkëta e të gjithë pjesëmarrësve ishte se pavarësia e Kosovës nuk ka kthim, por Vuçiq më shumë “është kapur” për deklaratën e kongresistit Eliot Engel, i cili tha se Serbia nuk do të mund të anëtarësohet në Bashkim Evropian pa pranuar pavarësinë e Kosovës.

Vuçiqi të mërkurën për mediat serbe tha se pret që të shtohet presioni në ditët e javët në vazhdim, kur edhe do të vijë administrata e re e SHBA-së në krye me presidentin e zgjedhur, Joe Biden.

“Po mendoj se tashmë është e qartë që kisha të drejtë kur fola për pikëpamjet e administratës së Joe Biden se nuk do të jenë në favor të Serbisë. Shpresoj që Administrata të ketë qëndrim të ndryshëm nga ajo se çfarë u prezantua në Dhomën e Përfaqësueseve. Ne duhet të kemi kujdes, dhe të jemi të vetëdijshëm se këta njerëz janë të rëndësishëm“, ka thënë Vuçiqi.

Ai ka shfrytëzuar këtë edhe për të sulmuar opozitën e pakët që ka në Serbi.

“Ajo që më pengon, nuk mund të them se më brengos, është se në Serbi po mendojnë që kjo është e drejtuar kundër meje. Në fakt, është kundër çdonjërit në Serbi”, ka thënë Vuçiqi.