Ferat Shala intervistohet, sot, në Gjykatën Speciale

Deputeti i Kosovës nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, sot do të intervistohet në Gjykatën Speciale, në Hagë.

Paralajmërimin e ka bërë para disa ditësh vetë Shala.

Si njëri ndër eprorët e UÇK-së, ai ka thënë se nuk e heq asnjë shkronjë nga e kaluara e tij.

“Në tërë veprimtarinë time jetësore atdhetare asnjëherë nuk jam ndier më i nderuar dhe respektuar sesa kur isha pjesë e UÇK-së! Asnjë shkronjë nuk e heq nga e kaluara ime në të gjitha periudhat e veprimtarisë sime”, ka shkruar Shala në faqen e tij zyrtare, në Facebook.

Ai ka falënderuar trungun e tij familjar, që e ka edukuar në rrugën e drejtë karshi popullit dhe atdheut.

Shala ka shprehur falënderim dhe mirënjohje edhe për të gjithë bashkëluftëtarët, dëshmorët dhe heronjtë për sakrificën sublime që ata kanë bërë.