E DIELA NUK PERËNDONTE PA DIELL

(Kushtuar dëshmorëve Brahim, Ramadan dhe Sefer Morina)

E diela më 17 maj 1998
Nuk donte të perëndonte
Pa marrë në sytë tuaj një copë diell

Mëngjesit fytyrëzbehtë në Rixhevë
I mungonin lulet e gjakut tuaj
Atë të diel

Vendlindja ishte zgjuar herët
T’i vishte
Rrobat që s’i kishte

Të tretë atë ditë
I dhatë gjak orës së shtëpisë

E diela e 17 majit 1998
Nuk donte të perëndonte në mbrëmje
Pa u bërë ju të tretë varre drite

AKORDIMI I ÇMIMEVE

Tash çmimet nuk u akordohen maratonistëve
që u ka ra gjaku në gojë
në maratonat qindra vjeçe
me burgje, tela me gjemba e plumba,
çmimet ftohen solemnisht t’i marrin
akrobatët, klounët e kurtizanet me shputa të buta.

SHPORTAT E UJIT

Vilajetit këmishëgrisur
uji vjen me shportë
e ty të dënojnë
pse ke ende etje,
pse ende shqip ke zë.

Kur vdesin oazat
përditë nga dy e tri,
vetëm ti mban zi.

EMISARËT

Nga vemjet
e lëkurëve
të vjetra dalin
e vijnë
e m’i marrin
të gjitha
mëngjeseve të mia
të brishta

Ditë për ditë
m’ia nxjerrin sytë
ëndrrës
e këngës
për të rënët.

Vijnë,
ma nxjerrin
nga bebëzat
e ma marrin
dritën
e Luigjit e të Hasanit.