DITAR I TË VËRTETAVE

Dibran Fylli

Ditarin e luftës, edhe pse me shpëtuan vetëm dy fletore në dorëshkrim, do ta përshkruaj ashtu siç ka qenë i shkruar gjatë kohës së luftës. Pa ndonjë shprehje poetike, ndoshta pa respektimin e shenjave të pikësimit por edhe pa më të voglën ndërhyrje !…
Nëse pyesni pse – përgjigjen do ta gjeni diku në faqet e këtij ditari, atëherë do të bindeni me realitetin e udhëve të sakrificës, sepse dikush është çuditur me fletoret e mia atëherë, e dikush do të çuditet duke lexuar sot, dua të thëmë; atë që e sheh syri, e do mendja dhe e afron shpirti e shkruan edhe lapsi. Kohët ikin, njerëzit mund të ndërrojnë edhe nga dymijë fytyra, por, shkrimi mbetet sikurse një e djegur – vrragë në fytyrë !?
09 maj 1998-ora 08:40, (një komunikim me radiolidhje)
-101 për mjekrën lajmërohu
-marrje 101-shi
-pozicioni juaj
-rrezja e Hotit, çka ka të re
-unë bashkë me shokët jam në rrugë,
po u shkojmë shokëve në përforcime në Grykë t’Llapushnikut
-a e ke marr mjetin e rëndë me vete
-po
-suksese-vdekje armikut
-liri Kosovës

DISA DATA QË DO TË MBAHEN MEND GJATËKOHË:
-02 shkurt 1998, helikopteri i forcave policore serbe fluturon befasishëm mbi fshatin Açarevë, ai sulmohet nga forcat Çlirimtare të UÇK-së.
-04 mars 1998, në Fabrikën e Kërpudhave në Jashanicë, grumbullohen forca të mëdha të armikut dhe automjete të blinduara ushtarake.
-05 mars 1998, forcat policore e ushtarake serbe, marshojnë me automjete luftarake duke vendosur punkte prej Barakës së Resnikut deri të Kryqet mbi fshatin Turiqefc. Gjatë kësaj dite, këto kolona të serbëve sulmohen nga orët paradites deri në orët e vona të mbrëmjes nga Njësiti “Shkoza”.
-06 mars 1998, ende pa aguar, Njësiti “Shkoza 2”, fillon sulmin mbi forcat serbe të stacionuara nëpër punkte. Në orët e paradites mësuam së në Prekaz ende po luftohet, Komandanti Adem Jashari po reziston në kullën e vet.
-07 mars 1998, Komandant Sylejman Selimi-Sulltani, organizon sulmin mbi forcat serbe nga vendi i quajtur “shtëpia e Musli Tahirit” dhe të arat afër lisave të Lutanëve mbi fshatin Turiqefc.
-08 mars 1998, morëm lajmin për rënien heroike të Kryekomandantit Adem Jashari, por, asnjëri nga luftëtarët nuk donin ta besonin!?
-13 mars 1998, në radhët e luftëtarëve çlirimtar në fshatin Açarevë, vijnë dy luftëtar me përvojë lufte Bekim Berisha-AB-ja dhe Kadri Hamiti-CD-ja.
-11 mars 1998, u vendosen pozicionet mbrojtëse dhe vëzhguese të Njësitit “Shkoza” në arat mbi fshatin Tushilë.
-18 mars 1998, fillimi i ushtrimeve në poligonin e Açarevës me kadetët e parë të Akademisë Ushtarake, të udhëhequr nga Bekim Berisha-Abeja.
-22 prill 1998, ngritja e Flamurit para Njësiteve të rregullta të UÇK-së në Açarevë dhe diplomimi i kadetëve të parë të Akademisë Ushtarake të UÇK-së. Flamurin e ngritën Fehmi e Xhevë Lladrofci. Formimi i Brigadës 111 “Adem Jashari”
-24 prill 1998, organizimi i sulmit në befasi mbi kolonën e ushtrisë serbe të Baraka e Resnikut. Krejt koha mbajti me rrebeshe shiu…
-01 maj 1998, tërheqja e forcave serbe nga pozicioni të Përmendorja mbi fshatin Tushilë.
-09 maj 1998, Epopeja e Grykës së Llapushnikut-fitore e madhe e UÇK-së, aty bie dëshmor Besim Halilaj dhe plagosja e pesë luftëtarëve të lirisë.
-12 maj 1998,merret vendimi për themelimin e Policisë Ushtarake (PU) të UÇK-së dhe bartja e Shtabit nga Açareva në Likofc, këtë vendim e moren Sylejman Selimi-Sulltani, Rexhep Selimi, Bekim Berisha-Abeja, Kadri Hamiti-Cdeja, Hysni Shabani…
-15 qershor 1998, largimi i Bekim Berishës-Abesë, nga Drenica dhe shkuarja e tij në Junik.
-__korrik 1998, kthimi i Bekim Berishës nga Juniku në Likofc.
-03 gusht 1998, forcat serbe të dislokuara në Jashanicë e Jellofc, në orët e hershme të këtij mëngjesi, filluan ofensivën e parë mbi fshatin Açarevë, me synim të pushtimit të pozicioneve të UÇK-së “Të Zabeli i Fyllave”. Ata kishin aktivizuar shumë automjete të blinduara, tanke, xhipa e mjete tjera luftarake…
-04.gusht 1998, Pasi që një ditë më parë, forcat armike, kishin pësuar humbje të mëdha nga UÇK-ja, sot kah ora 09:00, nxorën mbi 140 automjete luftarake për ta vazhduar ofensivën e djeshme mbi po këto pozicione të UÇK-së. Ata sulmojnë nga të gjitha anët, me krejt arsenalin që e kanë në dispozicion duke mos i kursyer as raketat që po villnin zjarr nga Mokna në drejtim të pozicioneve të UÇK-së. Kjo është ofensiva më e ashpër e forcave të shfrenuara serbe…
-06 gusht 1998, ofensiva e parë mbi fshatin Rezallë.
-19 gusht 1998, konsolidimi i Brigadës 113 të ZO të Drenicës.
-26 gusht 1998, forcat serbe të stacionuara në lagjen e Fyllave, djegën në tersi lagjen e Kodralive në fshatin Açarevë.
-05 shtator 1998, forcat serbe ndërmorën ofensivë të përgjithshme mbi Drenicë. U sulmua në 12 drejtime, sipas informatave nga terreni dhe të agjencive të huaja, në këtë ofensivë kishin marr pjesë mbi 22.000 këmbësor me qindra automjete tjera luftarake.
-11 shtator 1998, ofensiva serbe mbi fshatin Rezallë, për herë të dytë. Në shkozë, nga forcat serbe bie dëshmor Zymer Tani, ushtar i Brigadës 113 të ZO të Drenicës.
-19 shtator 1998, sulmi i parë i Brigadës 113 mbi pozicionet e armikut në fshatin Likofc. Sulmi i kryer me sukses dhe pa humbje…

(Këto ishin vetëm disa data të nxjerra nga ditari i luftës për ngjarjet në kohën e luftës, derisa ditari i plotë do të botohet libër me titullin “Udhët e sakrificës – Ditar i të vërtetave”)