Dështon të mbahet seanca për rastin ‘Stenta 2’, shkak reduktimi i punës nga KGJK

Qeveria e Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së djeshme ka marrë vendim që të ul pagat e punonjësve të sektorit të drejtësisë, duke kthyer kështu pagat në nivelin që ishin në vitin 2017.

Pasojat e këtij vendimi tashmë kanë filluar që të vërehen, pasi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka marrë vendim që të reduktojë shërbimet në gjykata, duke ofruar vetëm shërbime esenciale. Po ashtu ka pezulluar çdo bashkëpunim apo aktivitet ku prezentë janë përfaqësues të Qeverisë.

Si rezultat i këtyre masave të ndërmarra nga KGJK, Sinjali mëson se sot ka dështuar që të mbahet seanca e planifikuar gjyqësore për rastin ‘Stenta II’, ku akuzohen 38 mjekë për keqpërdorim të detyrës zyrtare e ryshfet.

Ndërkohë KGJK në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar listën esenciale të shërbimeve derisa Qeveria ta shfuqizojë vendimin që ua përgjysmon pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kryesuesi, Albert Zogaj, tha se lista me shërbimet esenciale do të nis nga sot deri më datën 8 dhjetor 2022.