Konfiskohen rreth 40 kilogramë narkotikë, policia arreston një të dyshuar

Hetuesit policorë nga Sektori Qendror i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, për disa javë kanë trajtuar përmes rrugëve operative e hetimore një informacion se ‘një person se po merrej me trafikim të lënëve narkotike’.

Sot, më 05.01.2023, rreth orës 17:08, është arritur të lokalizohet dhe identifikohet një i dyshuar i përfshirë në veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Hetuesit policorë, në koordinim me organet e drejtësisë kanë realizuar Planin Operativ ‘Mjegulla’, gjatë realizimit të së cilit, në flagrancë është arrestuar i dyshuari: N.B., (viti i lindjes 1986, mashkull kosovar), i cili po transportonte me një veturë me targa vendore, substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë.

Gjatë kontrollimit të veturës janë gjetur rreth 40 kg substancë narkotike, e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë, e ndarë në 40 paketime të mbështjella me qese plastike. Vlera e kësaj sasie sillet rreth 80 mijë euro dhe dyshohet se vendi ynë ishte transit i kalimit të kësaj sasie, kurse destinacion final ishin vendet e perëndimit.