Delegacioni ukrainas ka arritur në Bjellorusi, bisedimet me Ukrainën fillojnë në mesditë

Delegacioni ukrainas ka arritur në kufirin Ukrainë-Bjellorusi, ka bërë të ditur Zyra e Presidentit të Ukrainës.

Sipas planit, bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës pranë kufirit Ukrainë-Bjellorusi ishin paraparë të fillonin në orën 12:00 sipas kohës lokale të Moskës, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.

Ndihmësi i presidentit rus, Vladimir Medinsky, i cili udhëheqë me delegacionin e Kremlinit, tha se ekipi i tij është gati për negociata menjëherë pas mbërritjes së palës ukrainase.

Ndaras nga kjo, agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA-Novosti citoi Medinskyn të thoshte se përgatitjet logjistike për delegacionin ukrainas ishin “shumë të vështira”, me kohën e arritjes së tyre duke u shtyrë për disa herë.

Më shumë detaje për takimin: Dy delegacionet do të takohen pranë lumit Pripyat në kufirin Ukrainë-Bjellorusi. Zyra e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky tha se presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko e telefonoi Zelenskyn të dielën dhe i ofroi garanci sigurie, duke thënë se Lukashenko “kishte marrë përgjegjësinë për të siguruar që të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e stacionuara në territorin bjellorus do të qëndrojnë në terren gjatë udhëtimit të delegacionit ukrainas, gjatë takimit dhe gjatë kthimit”.

Çështja kryesore në agjendën e bisedimeve, sipas palës ukrainase, është armëpushimi dhe tërheqja e trupave nga territori ukrainas.

Takimi i planifikuar i së hënës pason një mori deklaratash nga Kremlini, i cili pretendoi më parë se pala ukrainase e kishte kundërshtuar propozimin e Rusisë për t’u takuar në Bjellorusi me një propozim për t’u takuar në Varshavë dhe më pas kishte hequr dorë nga kontaktet.

Zyra e Zelensky mohoi pretendimet e Kremlinit se Kievi refuzoi të negocionte./CNN