​Vjosa Osmani tregon nëse do të jetë kryetare e Kuvendit nëse formohet qeveria e re

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme ka trajtuar kërkesën e 22 deputetëve për formimin e një komisioni hetimor për punën e qeverisë rreth pandemisë Covid-19. Këta të fundit kanë propozuar që 4 qershor të jetë data kur në seancën plenare duhet të trajtohet formimi i këtij komisioni hetimor.

Pas mbledhjes së këtij komisioni i cili zgjati më shumë se tri orë, kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha se janë dakorduar që të mbahet edhe një mbledhje, para mbajtjes së seancës plenare.

Ndërkohë që Osmani nuk ka deklaruar se nëse do të vazhdojë të jetë kryetare e Kuvendit të Kosovës, në rast se formohet qeveria e re, duke thënë se veprimet që do të ndërmarrë varen nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese

“Unë nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, rrjedhimisht do të mund të përgjigjem vetëm atëherë kur do të kemi aktgjykimin. Besoj shumë në integritetin profesionalë të gjyqtarëve dhe pastaj do të shohim se cilat do të jenë veprimet që do të ndërmerren pas atij aktgjykimi. Në momentin që e kemi një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, gjithçka tjetër do të varet nga ajo. Për momentin kemi situatë hipotetike dhe nëse do të përgjigjem saktë, do t’i bie që po e paragjykoj”, ka deklaruar Osmani.

E para e Kuvendit të Kosovës, tha se në këtë mbledhje nuk ka pasur konsensus për procedimin e nismave legjislative, për shkak të qëndrimeve të ndryshme se a duhet t’i drejtohen qeverisë.

“Sot e kemi trajtuar edhe propozimin e 22 deputetëve nënshkrues për formimin e komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë Covid-19 nga ana e qeverisë. Iniciatorët, deputetët nënshkrues kanë propozuar që 4 qershori të jetë data kur në seancë plenare trajtohet formimi i këtij komisioni hetimor. Pasi që kemi më pak se 40 nënshkrime, komisioni nuk formohet automatikisht, patjetër duhet vendim i seancës plenare”, tha Osmani/Klina info/