Dallku: Shumë i kënaqur me adaptimin e prurjeve të reja, do të bejmë çmos që të kalojmë tutje në Kupën e Kosovës

Para fillimit të stinorit pranveror, Dukagjini ishte njëra nga tetë skuadrat e Superligës së Kosovës që fazën përgatitore e zhvilloi në Antalya të Turqisë.

Klinasit i pret një luftë e vërtet për të mbijetuar në elitën e futbollit vendor, por para kësaj një test i vështirë i pret në Kupën e Kosovës, ku të shtunën do të përballen me kampionin vjeshtor, Gjilanin.

Në lidhje me fazën përgatitore, prurjet e reja dhe ndeshjen e Kupës, për Gazetën Olle ka folur kryetrajneri i Dukagjinit, Armend Dallku.

“Jemi shumë të kënaqur me punën që kanë bërë djemtë gjatë kësaj faze, ku një pjesë të fazës përgatitore e kemi kalu në Kosovë edhe pjesën kryesore në Antalya të Turqisë, ku atje kemi bërë ndeshje miqësore me kundershtarë serioz, edhe unë personalisht kam kërkuar që të kemi ndeshje me kundershtarë serioz sepse konsideroj që ne e kemi rrit shumë nivelin e përgatitjes fizike dhe taktike”, tha fillimisht Dallku.

Tutje, kryetrajneri i klinasve theksoi se është shumë i kënaqur me adaptimin e transferimeve të reja në skuadrën e tij.

“Marrë parasysh edhe prurjet e reja që kanë ardhur qe i kan jep një nivel tjetër ekipit ku edhe adaptimi i tyre në ekip ka qenë shumë i kënaqshëm duke filluar nga Zhdrella, Gashi, Zenunaj dhe Nikolic”, vazhdoi ai.

Në fund, Dallku tha për ‘Olle’ se ndeshja e Kupës ka rëndësi të veçantë dhe do të bëjnë çmos që të kalojnë tutje.

“Jemi gati për ndeshjen e Kupës që ka një rëndësi të veçantë për neve, dhe do të bejmë çmos që të kalojmë tutje”, përfundoi kryetrajneri i Dukagjinit, Armend Dallku.