Gjykata thotë se s’ka urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj Xhelal Sveçlës

Gjykata Themelorë në Prishtinë, ka reaguar në lidhje me raportimet e medieve, se është lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Gjykata tha se nuk ka pasur urdhëresë për sjellje me detyrim, por ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt.

“I pandehuri XH.S nuk ka pasur urdhëresë për sjellje me detyrim, i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt dhe gjithashtu nuk është lëshuar asnjë urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj tij për seancën e radhës”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Më tej, në njoftimin e gjykatës bëhet e ditur se seanca e shqyrtimit fillestar nuk është mbajtur në mungesë të shtatë të pandehurve, prej tyre dy nuk kanë qenë të ftuar  në mënyrë të rregullt, për dy të tjerë nuk ka pasur dëshmi se janë ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa për tre të tjerë ka pasur urdhëresë për sjellje me detyrim, por kjo nuk është realizuar pasi Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të njëjtit nuk janë gjetur në vendbanimet e tyre.

Kujtojmë se Xhelal Sveçla, Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj po akuzohen se në qershor të vitit 2013 kishin hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të Policisë ku ishin lënduar lehtë katër policë.