Brenda 24 orëve të fundit raportohen pesë raste të dhunës në familje

Policia e Kosovës ka njoftuar për disa raste të dhunës në familje të cilat kanë ndodhur më 30 dhe 31 mars 2022.

Sipas policisë, rastet kryesisht kishin të bëjnë me dhunë ndaj grave.

Në Komunën e Podujevës është arrestuar një i dyshuar pasi sipas policisë pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

“Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që i dyshuari pas intervistimit të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Edhe në Komunën e Deçanit, policia e ka arrestuar një person i cili pas një zënke verbale,  dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Sipas policisë me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Komunën e Pejës, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes, është arrestuar një person dhe dërguar në mbajtje.

Ndërsa, në Gjakovë, një grua ka raportuar se është keqtrajtuar psiqikisht dhe është kanosur nga bashkëshorti i saj.

“I dyshuari është larguar nga shtëpia dhe ende nuk është hasur nga policia. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, rasti vazhdon të hetohet nga njësitë relevante”, thuhet në raport.

Kurse në Komunën e Prishtinës një vajzë ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj i cili sipas saj është me të meta mentale.

“Rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante”, thuhet në njoftimin e policisë.