Bëhen 13 vite nga vrasja e Triumf Rizës, babai i tij në kërkim të drejtësisë

11 krisma prishën qetësinë e kryeqytetit 13 vjet më parë. Në në Prishtinë, prapa shpinës me armë zjarri u godit polici i Njësisë Speciale, Triumf Riza.

Ish efektivi special i policisë, ishte qëlluar nga Arben Berisha i cili tani është në vuajtje të dënimit prej 35 vitesh burgim.

Por, 13 vjetori i vrasjes së Rizës, familjen e tij nuk e gjeti në Prishtinë.

Ata shkuan në fshatin Stagovë të Kaçanikut, atje ku Triumfi prehet përjetësisht.

Familja Riza, atje pritën miq e dashamirë të cilët i vizituan në përvjetorin e 13 të mungesës së më të dashurit të tyre.

Në Stagovë, qëndroi edhe Shefqet Riza për ti pritur miqtë e të birit.

“Meqenëse është kohë pandemie, ishin rreth 30 vetë, sepse gjendje ishte e tillë, kështu që erdhën disa shokë të tij, disa nga policia, për të përkujtuar për 13 vjetorin e vdekjes” tha Shefqet Riza, babai i Triumf Rizës

Ndonëse dorasi i vrasjes së Triumf Rizës tashmë është dënuar, një proces tjetër gjyqësor ka kohë që nuk po merr fund.

Bëhet fjalë për gjykimin e Enver Sekiraqës, që akuzohet për nxitje të vrasjes së policit të Njësisë Speciale.

Ndonëse Sekiraqën, një herë e kishte shpallur fajtor një trup gjykues i EULEX-it që e kishte dënuar me 37 vjet burgim, rasti ishte prishur nga Gjykata e Apelit.

Më pas, Gjykata Themelore në Prishtinë pas rigjykimit Enver Sekiraqen e kishte dënuar me dënim unik prej 30 vjetësh.

Por, përsëri në prill të këtij viti Apeli e rrëzoi aktgjykimin e Themelores.

E për këtë vendim të gjykatës, babai i Triumf Rizës, ka hedhur disa akuza.

“Ma shumë Gjykata e Apelit po e zhagit, kjo është një far loje pingpongu, e pakuptueshme, por unë nuk brengosem sepse dënimin e meritun do ta merr gjithsesi, pasi që drejtësia do të vij, pasi ky është nxitësi kryesor, e i ndjeri do të ishte gjallë.”

Riza, shton se asnjë vendim i Gjykatës, më nuk i bënë përshtypje.

“Asnjë dënim nuk më bënë përshtypje mirëpo, ai duhet të ishte I dënuar më burgim të përjetshëm, por kjo gjyqësia po shihet si është..”

Familja Riza, tashmë ia ka përtrirë emrin të birit të tyre të vrarë.

Triumfi i ri, ishte këtë të diel tek varri i xhaxhait të tij.

Ndërkohë, T7 ka tentuar të kontaktoj edhe me avokatët mbrojtës të Enver Sekiraqës, por një gjë e tillë këtë të diele ka qenë e pamundur.