Besian Mustafa kandidon për kryetar të LDK-së Lajme

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka deklaruar se do të kandidojë për kryetar të partisë, raporton Gazeta Express.

Këtë Mustafa e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku ka shkruar se LDK-ja do të shkëlqejë përsëri, ndërsa u ka uruar sukses edhe kundërkandidatëve të tij.

“Do të sigurohem që LDK do të ketë debat, diskutim dhe bashkëbisedim të hapur e të gjatë me secilin dashamir, votues e ish-votues dhe anëtar e ish-anëtar ku së bashku do të ndërtojmë unitetin dhe komunikimin tonë të vazhdueshëm”, ka shkruar Mustafa ndër tjerash.

Përveç Mustafës, paraprakisht kandidaturat për kryetar të LDK-së i kanë shpallur edhe Lutfi Haziri, Anton Quni e Lumir Abdixhiku.

Më 14 mars, 355 delegatë nga 38 degë të LDK-së nga të gjitha komunat do të mblidhen për ta dhënë votën e tyre. Atë ditë do të dihet zyrtarisht kush janë kandidatët për kryetar. Në organin më të lartë të LDK-së mund të kalojnë vetëm ato kandidatura që marrin fillimisht aprovimin e delegatëve.

Në mënyrë që të konfirmohet si kandidat për kryetar, secilit prej pretendentëve u duhet t’i marrin 50% plus një të votave të delegatëve. /