SHBA mbështesin aktgjykimin e Speciales ndaj Mustafës: Ka të bëjë me përgjegjësinë penale individuale, jo të UÇK-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbështetur aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj Salih Mustafës, ku e dënuan me 26 vjet burgim.

Lidhur me dënimin e Mustafës nga Gjykata Speciale, në një postim në Twitter ka shkruar zëdhënës i i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price.

Ai ka shkruar se mirëpresin aktgjykimin ndaj Mustafës, si një hap i fuqishëm drejt mbështetjes së sundimit të ligjit dhe drejtësisë për viktimat në Kosovës.

“Mirëpresim aktgjykimin ndaj Salih Mustafës, ish-komandant në njësinë guerile BIA-s të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga ana e Kosovës nga Gjykata Speciale, si një hap i fuqishëm drejt mbështetjes së sundimit të ligjit dhe drejtësisë për viktimat në Kosovë”, shkruan Price.

E për aktgjykimin ka shkruar edhe ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Ai thotë se SHBA-të mbështesin Gjykatën Speciale në përpjekjet e tyre për të ofruar drejtësi për të gjithë, por aktgjykimi ndaj Mustafës nuk është një aktgjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, por ka të bëjë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të të pandehurit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Dhomat e Specializuara në përpjekjet e tyre për të ofruar drejtësi për të gjithë. Ky nuk është një aktgjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, por ka të bëjë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të të pandehurit”, shkruan ambasadori amerikan.

Gjykata Speciale të premten dënoi me 26 vjet burgim Salih Mustafën.

Në njoftimin e Gjykatës Speciale thuhet se trupi gjykues e shpalli Mustafën fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme. /Telegrafi/