Rreth 600 policë serbë dorëzuan detyrat deri tani

Rreth 600 zyrtarë serbë deri më tani kanë njoftuar dorëheqjen nga Policia e Kosovës.

Numrin e serbëve të larguar nga Policia e Kosovës e ka konfirmuar sot ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti.

“Deri më tani në Policinë e Kosovës, përkatësisht në zonën e Drejtorisë Rajonale të Mitrovicës në veri, janë pranuar njoftimet për dorëheqje, 578 dorëheqje, prej të cilave 461 nga policia e rendit publik, 107 nga policia kufitare dhe 10 nga hetimet”, ka thënë Sveçla.

Ministri tha se dorëheqjet e policëve po vijnë pas kërcënimeve e shantazheve, ku rrezikohet edhe vetë ekzistenca e këtyre zyrtarëve policorë në rast se nuk dorëhiqen.