Ndikimi i pandemisë në Kosovë/ Për një vit humbën 50 mijë vende pune e u mbyllën mbi 10 mijë biznese

Një analizë për ndikimin e pandemisë në tregun e punës është publikuar nga instituti “Paragoni”.

Sipas saj, pandemia ka ndikuar që mbi 10 mijë biznese të mbyllën dhe rreth 50 mijë vende të punës të humbin.

Ndërsa Shoqata e Gastronomëve thotë se dëmet vetëm në sektorin e gastronomisë në një vit pandemie ishin rreth 20 milionë euro.

Mbi 10 mijë biznese u mbyllën dhe rreth 50 mijë vende pune humbën gjatë një viti pandemie, thuhet në një hulumtim të institutit “Paragon” për ndikimin e pandemisë në tregun e punës.

Florian Aliu nga ky Institut ka thënë se pandemia ka ndikuar që bizneset të hasin në vështirësi për mbulimin e pagave të punëtorëve.

“Mbi 150 mijë punëtorë hasin ende në vështirësi në paga. Të hyrat e shtetit janë rritur me zbutjen e masave dhe ndihmën nga pakot ekonomike. Në janar të vitit 2020 janë 111 milionë euro të hyra në Doganë, kurse në janar të vitit 2021 kemi një rritje në 123 milionë euro të hyra në Doganë. Kjo vjen si rezultat i futjes në treg të 200 milionë eurove nga Trusti, rritja e konsumit dhe fuqizimit të konsumatorit”, ka thënë Aliu.

Vetëm në gastronomi, sipas Arian Vranicës nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, dëmet janë rreth 20 milionë euro, shkaku i masave shtrënguese.

“Dëmet nuk kanë qenë vetëm këto. Ne kemi pasur edhe një raport hulumtues të cilin e kemi realizuar më 23 nëntor të vitit 2020 dhe këto të dhëna kanë qenë mjaft shqetësuese, ku kemi parë që 89 për qind e bizneseve deri në tetor kanë punuar me humbje, vetëm 11 për qind e tyre kanë qenë në gjendje rentabile”, ka theksuar Vranica.

Ka përmendur ndihmën prej 3 milionë eurosh që kishte ndarë Qeveria, për subvencionimin e sektorëve më të prekur për ndalimin e aktiviteteve, të cilat janë: gastronomia, sallat e dasmave, sallat e sportit, qendrat rehabilituese dhe të ngjashme.

Sipas tij, aty janë përfshirë kategori të ndryshme në një linjë të përbashkët, e që nuk mjaftojnë as për të paguar gjobat e shqiptuara gjatë pandemisë, e lëre më të paguhen shpenzimet operative me to.

Ai ka kritikuar edhe masën për pagat e punëtorëve që kanë humbur punën, pasi, siç ka thënë, janë rreth 40 mijë punëtorë e vetëm në gastronomi janë diku 11 mijë.

Për subvencionim të pagave për ta, Qeveria ka ndarë vetëm 10 milionë.

Kjo shumë, sipas Vranicës, mbulon vetëm për 11 mijë punëtorë nga 900 euro për 3 muaj dhe jo më shumë.

Ka thënë se 3 milionë edhe po të ishin vetëm për gastronomi nuk do të mjaftonin.

Pandemia sipas drejtorit të institutit “Paragon”, Fisnik Dukolli, ka ndikuar edhe në cilësinë e arsimit dhe tërë zinxhirin ekonomik.

“Duke marrë parasysh se Kosova ka një treg të punës kryesisht në ofrimin e shërbimeve, sektorët më të rënduar dalin të jenë gastronomia dhe ndërtimtaria, por që impakt negativ kemi pasur shumë edhe në prodhimtari, transport, turizëm, agrobiznes dhe në tregun medial”, ka theksuar Dukolli, raporton koha.net.

Instituti “Paragon” iu ka rekomanduar institucioneve që të ndërtojnë një sistem të fortë shëndetësor, forcimin e skemës për mbrojtje sociale dhe ekonomike e rritje të sistemit të mbrojtjes së punëtorëve.