Rritet numri i ankesave për keqpërdorim të kartelave bankare

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), nëpërmjet një sqarimi për media, ka siguruar qytetarët se sektori bankar është i sigurt dhe nuk ka nevojë për panik.

Por numri i ankesave që ka pranuar BQK-ja nga qytetarët për keqpërdorim të kartelave bankare, këtë vit është rritur krahasuar me vitet e kaluar. Gjatë vitit 2022, për keqpërdorim të kartelave bankare janë ankuar 44 qytetarë.

“Nga viti 2018 deri më tani, numri i ankesave të qytetarëve për keqpërdorim të kartelave bankare është 139”, thuhet në sqarimin, që BQK-ja e ka bërë të hënën.

Sipas të dhënave të BQK-së, 12 ankesa janë bërë në vitin 2018, 36 në vitin 2019, 29 në vitin 2020, 18 në vitin 2021 dhe 44 në vitin 2022.

Sipas BQK-së, falë fushatave të ndërmarra është rritur edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të raportuar për rastet.

Në sqarim thuhet se viteve të fundit transaksionet elektronike që ndryshe njihen si blerjet nga interneti, kanë shënuar rritje të madhe dhe interesimi i klientëve të bankave për të operuar në këtë fushë është i madh.

“Deri në tetor të këtij viti, janë lëshuar, mbi 1 milionë kartela për blerje elektronike dhe janë bërë 38 mijë e 112 transaksione në vlerë prej 2 milionë e 431 mijë e 910 euro”, thuhet në sqarimin e BQK-së.

Sipas BQK-së thuhet se përkundër sfidave të ndryshme teknologjike, ky institucion në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe bankat komerciale, kanë ndërmarrë të gjitha masat, që klientët të mos dëmtohen nga asnjë veprim i kundërligjshëm.

“Bazuar në kompetencat e saj, BQK kryen ekzaminime të plota dhe të fokusuara që përfshijnë edhe fushën e teknologjisë informative, duke përfshirë edhe sigurinë kibernetike. Pjesë e ekzaminimeve kanë qenë edhe gjetjet që kanë të bëjnë me fushën e teknologjisë informative, ku janë dhënë rekomandime të ndryshme, të cilat zbusin dhe zvogëlojnë mundësinë e kryerjes së keqpërdorimeve, duke rekomanduar vendosjen e kontrolleve adekuate të brendshme, në funksion të parandalimit edhe ndaj sulmeve kibernetike”, thuhet në sqarimin e BQK-së.

Sipas tyre gama e gjerë e produkteve që ofrojnë bankat, bart me vete edhe rrezikun e ekspozimit ndaj sulmeve kibernetike, mirëpo theksohet se në çdo rast kur ka dëmtim të klientëve të çfarëdo natyre, bankat bartin koston e zhdëmtimit të klientëve.

“Për më shumë, ka pasur raste kur BQK-ja ka kërkuar dhe bankat kanë zhdëmtuar klientët ndaj çfarëdo rreziku. Gjithashtu, BQK është duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë për të adresuar çdo nevojë në zgjidhjen e problemeve në këtë sektor. BQK gjithashtu është angazhuar shumë në zgjidhjen e të gjitha ankesave të konsumatorëve dhe e ka ndër prioritetet kryesore të saj, mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve”, thuhet në sqarim.

BQK-ja e ka bërë këtë sqarim, pasi të dielën është raportuar se të dhënat bankare të kosovarëve janë të rrezikuara dhe se kërkohet kujdes dhe siguri.