BQK parashikon rritje ekonomike për Kosovë deri 4.3 përqind

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka parashikuar se deri në fund të këtij vitit rritja ekonomike e Kosovës, do të shkojë deri në 4.3 për qind.

“Parashikimet e BQK-së për gjysmën e dytë të vitit 2023 sugjerojnë për një rritje prej 3.7 përqind në TM3 dhe 4.3 për qind në TM4 2023”, thuhet në raportin e BQK-së

Sipas BQK-së, investimet e përgjithshme, konsumi publik si dhe eksporti i shërbimeve, i ndërlidhur me shpenzimet e diasporës, pritet të jenë shtytësit kryesor të rritjes, ndërsa pritjet për rënie të eksportit të mallrave pritet të ndikojnë negativisht aktivitetin e përgjithshëm ekonomik

“Aktiviteti ekonomik u reflektua në rritjen e numrit të ndërmarrjeve të regjistruara, që arriti në 3,086 ndërmarrje në TM1 2023, gjegjësisht 9.0 përqind më shumë krahasuar me TM1 2022. Sektori i tregtisë, prodhimit, ndërtimtarisë, aktiviteteve profesionale, hotelerisë dhe sektorë të tjerë regjistruan numër më të madh të ndërmarrjeve të regjistruara”, thuhet në raportin “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë”, të BQK-së.

Sipas BQK-së, të hyrat buxhetor në TM2 2023 arritën vlerën neto prej 682.5 milionё euro, duke paraqitur një rritje vjetore prej 16.4 përqind.

“Shpenzimet buxhetore shënuan rritje prej 17.1 përqind dhe arritën vlerën prej 619.5 milionё euro. Rrjedhimisht, Buxheti i Kosovës regjistroj bilanc pozitiv buxhetor prej 62.9 milionё euro”, thuhet në raportin “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë”, të BQK-së.