Biden thotë se Albright i ka bërë krenarë që janë amerikanë

Presidenti aktual i ShBA-së, Joe Biden, mbajti një fjalim në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.

Biden tha se në shekujt 20 e 21 liria nuk kishte kampione më të madhe se Madeleine Albright.

“Liria mbijeton kundrejt të gjitha sfidave në fytyrën e çdo agresori dhe në shekujt 20 e 21 liria nuk kishte kampione më të madhe se Madeleine Albright”, ka thënë Biden.

Ai madje tha se ajo i ka bërë krenarë që janë amerikanë. Dhe, sipas tij, Albright është arsyeja se pse NATO-ja vazhdon të qëndrojë e fortë.

“Kur mora vesh që ka vdekur, isha në aeroplan për në Bruksel, për t’u takuar me aleatët për ruajtjen e aleancës sonë, pata një ndjenjë të madhe që Albright ishte pjesë e arsyes pse NATO vazhdon të qëndrojë e fortë dhe aq e kalitur sa është sot”, ka thënë ai.

Biden tha se Albright gëzonte një respekt të jashtëzakonshëm në Evropë.