Kryetari Elezaj me bashkëpunëtorë homazhe në Kompleksin Memorial në Marinë, në 25 vjetorin e rënes së Mujë Krasniqit me 40 bashkëluftëtarë

Sot, në njëzetepesë vjetorin e rënies në altarin e lirisë të komandantit të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, Mujë Krasniqi- komandant “Kapuçi” dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij, kryetari i Klinës, Zenun Elezaj bashkë me komandantin e policisë në Klinë, Ragip Bytyqi, bashkëpunëtorë të komunës, përfaqësues të OVL-UÇK-së, veteranë të luftës, kanë bërë homazhe dhe kemi vendosur kurora lulesh tek Kompleksi i Dëshmoreve në Marinë.

“Rënia heroike e komandant “Kapuçit” ishte një humbje jashtëzakonisht e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për bashkëluftëtarët e tij të cilëve Muja u jepte siguri me prezencën e tij në frontin e luftës dhe përmes këngës edhe i frymëzonte ata në misionin e tyre të shenjtë.
Atdhetarizmi, heroizmi, trimëria e kontributi i tij për lirinë e Kosovës ishte dhe do të mbetet shembull për bashkëluftëtarët e tij”, ka shkruar Elezaj në FB.

Ai tutje ka thënë se lufta e pastër dhe e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrifica e dëshmorëve dhe të rënëve për lirinë e vendit është gurthemel i lirisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Lavdi e mirënjohje përjetësisht dëshmorëve të kombit e të rënëve për lirinë e vendit”, përfundon statusin e tij në FB, i pari i Klinës.