Azem Syla përsëri në gjykatë, do të përballet me rastin “Toka”

Sot pritet të mbahet seanca për rastin “Toka” ku të akuzuar janë Azem Syla dhe 21 persona të tjerë për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, në afërsi të Prishtinës.

Seanca e kaluar dështoi të mbahet për shkak se mungoi avokati mbrojtës i Faredin Gashit, njërit nga të akuzuarit në këtë rast.

Gjykata njoftoi se Faredin Gashi, kishte të autorizuar për mbrojtje avokatin Gëzim Kollçaku, i cili për shkaqe shëndetësore nuk mundi të paraqitej në seancë.

Gjithashtu, sipas gjyqtarit të rastit Arben Hoti, i akuzuari Gashi kishte të autorizuar edhe avokatin Tahir Rrecaj, por i njëjti kishte menduar se avokati Kollçaku do të prezantonte dhe nuk kishte ardhur.

Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohen dëshmitë e dëshmitarëve.

Prokuroria Speciale ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave, mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve kurse për Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit tjerë meqë është i njëjti rast.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive. /Kallxo