Aksioni i prokurorisë ende s’ka përfunduar, po bastisen gjithsejtë 11 lokacione

Në orët e hershme të mëngjesit, Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës kanë nisur një operacion të gjerë të kontrolleve në disa prej lagjeve luksoze të kryeqytetit.

Aksioni i sotëm është pjesë e rastit Brezovica dhe po udhëhiqet nga Prokuroria Themelore e  Ferizajt, transmeton IndeksOnline.

Operacioni po zhvillohet edhe në këto çaste në gjithsejtë 11 lokacione, tetë në Prishtinë, dy në Podujevë dhe një në Fushë Kosovë.

Prokuroria ka njoftuar se deri më tani janë ndaluar shtatë persona dhe të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Dhënia e ryshfetit”, nga neni 422 , “Fajdeja” nga neni 331 dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar prova të ndryshme materiale.