Shkruan: Lekë Mrijaj
Nëse dëshiron ta kuptosh politikën vepruese në Kosovë, s’ke nevojë të zhytesh në analiza të thella, apo më konkret të lexosh libra të trashë të shkruar nga filozof e teolog të mëdhenj. Mjafton të ulesh në ndonjë kafene të zakonshme të qytetit, të dëgjosh bisedat e të rinjve dhe të intelektualëve të spikatur (siq i shoh e njoh unë disa sish) zhgënjyer, dhe menjëherë do të kesh një pasqyrë më të qartë reale, sesa nga ndonjë trajnim profesional apo ligjëratë në fakultetet universitare më të njohura të vendit apo të botës.
Thjeshtë politika jonë në Kosovë, qoftë ajo në nivelin qendror apo lokal, ngjan sikurse barku i një fëmijë qe i shkon sipirë spirë (me nder me thënë…) apo me motin e paqëndrueshëm të prag të pranverës: sot diell, nesër reshje, pasnesër stuhi. Sot premtohen rrugë të reja, nesër shfaqen gropa të vjetra. Madje ne shumë qytete premtohet uji i pijës (sikurse në qyetin tim-Klinë), ujē asnjëherë. Punësime partiake e familjare (sikurse ka ndodhur dhe po ndodh në Klinë). Sot dikush ulet në karrigen e pushtetit si …minister, kryetar komune apo drejtor, nesër merret në pyetje nga prokuroria. Sot pretendojnë të jenë përkrah popullit, nesër rrethohen me lakej badigardash…
Populli shqiptar i Kosovës i ka përjetuar dhe i njeh mirë këto lojëra të ndyta politike. Janë më shumë se dy dekada pas luftës, dhe përkundër shpresave të mëdha, politika në vend se të jetë shërbim për ti sherbyer qytetarit, e them se ka degraduar në pasurim personal, në garë për pushtet e përçarje, dhe në zhgënjim të thellë për popullin. Politikanët shpesh sillen si kalamj apo fëmijë të përkëdhelur, që grinden për një lodër (kinse ua ka bërë babai…) që nuk është e tyre, por është pronë e përbashkët, e jona, pra e popullit…
Në fjalimet e tyre dëgjohen në mënyrë spektakulare apo me bollëk fjalë të mëdha: “interes kombëtar”, “shtet ligjor”, “zhvillim ekonomik”, “punësim me meritë”… Por në realitet, përballë këtyre fjalëve të mëdha qëndron një e vërtetë e hidhur, më shumë tenderë sesa punë, më shumë fotografi e reklama sesa projekte konkrete, më shumë ofendime në Kuvend sesa ligje që mbrojnë interesin qytetar.
Megjithatë, nuk janë vetëm pushtetarët që mbajnë fajin. Edhe qytetari i zakonshëm qe shpesh bëhet bashkëfajtor, përmes duartrokitjeve boshe, përmes votave të verbëra, përmes faljes së gabimeve që s’duhen falur. Kjo heshtje e pranimi e kthen popullin nga sovran në spektator të atyre lojërave të pista…
Por le të mos e mbyllim këtë rrëfim me zhgënjim. Sepse e mira nuk ka vdekur, nuk vdes kurrë, pra, do të jetoj “…deri në të sosur të botës”(frazë biblike). Ka ende njerëz të ndershëm, intelektualë të formuar, të cilët ashtu siq kanë vepruar përgjatë kauzës kombëtare në vitet 90-ta (siq i njoh edhe unë shumë sish të denjë…), e duan këtë vend me gjithë shpirt. Ka të rinj që nuk i prish pushteti, por i udhëheq ideali i shëndoshë për ndryshim. Ka motra, gra, djem e burra që punojnë çdo ditë në heshtje (brënda dhe jasht atdheut-Evropë e Amerikë…) për të ndërtuar një vend më të drejtë, pa pritur as duartrokitje, as famë.
Kosova – apo Dardania jonë si pjesë e Shqipërisë ka lindur nga plagët, por mund të rritet me dinjitet. Dhe politika, nëse ushtrohet me shpirt shërbimi dhe me urtësi, mund të jetë ilaç për shoqërinë, jo helm e cila do të sjell vdekje. Sepse siç thotë fjala biblike: “Nuk erdha që të më shërbejnë, por që të shërbej.” Kjo dhe vetëm kjo është thelbi i vërtetë i shërbesës publike (virtyte popullore, njerzore e hyjnore).
Por që kjo të bëhet realitet, qytetari duhet të jetë i kujdesshëm, pra, që tëmos e shohë më veten si spektator i një gare apo loje politike, por të inkoroprohet si lojtar kyç, si një figurë pergjegjëse e vendimtare në përcaktimin e fatit të tij dhe të vendit-atdheut për të cilën sakrifikuan paradhësit e tyre.
Sepse, në fund të fundit, politika nuk është një top që shkelmohet sa andej apo këndej. Politika është vetë fati ynë dhe i atdheut për të cilet investuam. Dhe as fati ynë, as fati i atdheut nuk duhet lënë në duart e asnjë matrapazi të pist apo oligarku të dyshimt mesjetar.