Arrestohen dy të dyshuara për sulmin çnjerëzor ndaj të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë

Dy punonjëse të shtëpisë së pleqve “Orenda” janë arrestuar në lidhje me rastin e sulmit fizik ndaj të moshuarës në Pejë.

Lajmin e ka konfirmuar Veton Elshani nga Drejtoria e Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës.

Ndryshe, rasti i rëndë është bërë sot publik përmes një video të shpërndarë në Facebook.

Aty shihet se si një nga punonjëset e dhunon një grua të moshuar, duke e goditur me shuplaka dhe shqelma.

“Pak jam tu ja hi qysh di me sill unë…pak jam tu ja hi”, dëgjohet duke thënë punonjësja derisa ushtronte dhunë ndaj të moshuarës.

Ndërsa momenti u xhirua nga disa punëtore tjera të këtij institucioni dhe dëgjohen me buzën në gaz duke thënë “raport për media”.