Nga e hëna nxënësit në Kosovë në pushim njëjavor

Të gjitha institucionet arsimore parauniversitare nga e hëna do të kenë pushim njëjavor.

Ky vendim u mor sot në takimin e dytë që u zhvillua për Task-Forcën, ku ishin të pranishëm ministrja Arsimit dhe Shkencës Arbërie Nagavci, përfaqësues të DKA-ve, SBASHK-ut, Këshillit të Prindërve, IKSHPK-së dhe drejtorë të shkollave.

Kështu ka bërë të ditur për IndeksOnline,  përfaqësuesi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës Ymer Ymeri.

“ Me rekomandimin e përfaqësuesve të IKSHPK-së, u vendos që gjatë javës së ardhshme nxënësit të kenë pushim, ata kanë humbur 9 ditë mësimi ku dy i kanë zëvëndësuar, meqenëse pushimi pranveror sipas kalendarit ka qenë e paraparë në këtë javë, kurse për 7 ditët e humbura të mësimit pritet të vendoset se kur do të zëvendësohen, SBASHK-u ka propozuar që të mbahet mësimi edhe të shtunave”, tha ai.

Ymeri tha se nesër pritet të merret vendimi nga MASHT për zëvendësimin e orëve të humbura.

Ymeri tha se gjatë javës së ardhshme do të punohet në dezinfektimin e objekteve shkollore.

Ai shtoi se pas pushimit mësimi do të vazhdojë me prezencë fizike në shkolla dhe jo online./