Arrestohen dy policë dhe një zjarrfikës për vjedhje të ndihmave për të prekurit nga tërmeti

Dy policë dhe një zjarrfikës janë arrestuar pasi morën ndihmat e dhuruara për banorët e prekur nga tërmeti.

Arrestimi i tyre u krye nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pas publikimit të videos në media, ku dukeshin policët dhe zjarrfikësit duke përvetësuar këto ndihma.

Në pranga ranë polici me iniciale A.Z. shef seksioni në Komisariatin e Rinasit, E.H. komandant skuadre në Komisariatin e Rinasit dhe zjarrfikësi A.T. Të tre akuzohen për mashtrim dhe shpërdorim detyre.

Ata ishin filmuar duke transportuar dhe përvetësuar të një sasie të konsiderueshme pakosh ushqimore të destinuara për banorët e prekur nga situata e tërmetit.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetaset V.Z. dhe Sh.T. për veprën penale të “Mashtrimit”, kryer në bashkëpunim.

Materialet hetimore proceduriale do t’i dërgohen Prokurorisë Tiranë për hetime të mëtejshme. /