Rama për Xhakën e Shaqirin: Po përdoren si “mish për top” për lojë luftërash ballkanike

Për paraqitjet e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit po vazhdon të flitet e komentohet gjithandej në vendet ballkanike dhe më gjerë pas fitores së Zvicrës ndaj Serbisë, e cila kësaj të fundit i kushtoi me eliminim nga Kupa e Botës.

Në lidhje me këto raportime të shumta dhe përkrahjen e madhe që ka marrë dyshja e futbollistëve nga Kosova, ka folur edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Ai ka thënë se ata janë dy futbollistë shqiptarë, të cilët i ndjekim me shumë simpati, por se, sipas tij, emrat e tyre po përdoren si ‘mish për top për disa lojëra ballkanike”.

“Nuk jam kryeministër i Zvicrës, jam kryeministër i Shqipërisë dhe nëse do të ndaja nga skuadra kombëtare e Zvicrës dy qytetarë zviceranë që kanë kombësi shqiptare, që janë shqiptarë të cilët ne i shohim me dashuri dhe pa diskutim simpati të madhe që të gjithë për një ndeshje te veçantë, çfarë do të bëja konkretisht? Do t’i përdorja ato dy figura për politikë dhe në një mënyrë aspak dinjitoze për hir të së vërtetës. Sepse është ekipi kombëtar i një shteti tjetër dhe do t’i fryja zjarrit të një nacionalizmi, më falni për shprehjen, qesharak, por nacionalizmi është gjithmonë sa qesharak, aq edhe i rrezikshëm. Nuk është e nevojshme, nuk e shoh fare të nevojshme dhe më duket që kush e bënë këtë, nuk bënë gjënë e duhur…Më është dukur vërtetë për të ardhur keq si mund të shkëputen nga skuadra e tyre dy lojtarë që janë qytetarë të denjë dhe të nderuar të atij shteti dhe për atë arsye luajnë për atë skuadër, për shkak të kombësisë së tyre të përdoren si ‘mish për top’ për një lojë luftërash ballkanike”, theksoi Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë dhe qytetarë.

Ndryshe, në fitoren e Zvicrës me rezultat 3-2 Xherdan Shaqiri kontribuoi me një gol të shënuar, kurse Granit Xhaka ishte lojtari më i mirë në fushë.