Dejan Pantiq lirohet nga arresti shtëpiak me 30 mijë euro dorëzani

Ish-zyrtari policor serb, Dejan Pantiq, i cili ishte arrestuar nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë,  është liruar nga arresti shtëpiak.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka bërë të ditur se nuk kanë pranuar kërkesë nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, që Pantiqit t’i vazhdohet masa e sigurisë.

Gashi tha se më 4 shtator kanë pranuar kërkesën e avokatit të Pantiq, Ljubomir Pantoviq, për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me atë të dorëzanisë. Kjo kërkesë ishte aprovuar dy ditë më pas nga Gjykata, duke caktuar dorëzaninë në shumën prej 30 mijë euro.

“Ju njoftojmë se gjykata nuk ka pranuar kërkesë për vazhdimin e arrestit shtëpiak nga ana e PSRK-së. Mirëpo, me datën 04.09.2023 nga mbrojtësi i të pandehurit D.P av.Ljubomir Pantovic, gjykata ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, ashtu që me datën 05.09.2023 gjykata nga Prokurori i Shtetit nga PSRK ka pranuar parashtresën-pëlqimin me të cilën ka propozuar që masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P të zëvendësohet me masën e dorëzanisë sipas nenit 177 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 të KPP-së, pas deponimit të shumës prej 30.000.00 Euro.

Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin numër PPPS.nr.63/22, me datë 06.09.2023 ndaj të pandehurit D.P ka  aprovuar kërkesën e mbrojtësit, ashtu që ka zëvendësuar masën e arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, duke caktuar dorëzaninë ndaj të pandehurit D.P, në shumën prej 30.000.00 Euro”, thuhet në përgjigjen e Gashit.