“Do ta shohësh se kush jam unë, sepse e di ku rrini”, kërcënohen dy policë në Malishevë

Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacionin policor në Malishevë tre persona të dyshuar për “Kanosje ndaj personit zyrtar” sot rreth orës 10:00 të mëngjesit,

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj, i ka thënë Gazetës Sinjali se dy zyrtarë policorë ishin në kryerje të detyrës në rregullimin e trafikut në rrugën “Imer Krasniqi”, kur kishin shqiptuar disa gjoba për veturat e parkuara në kundërshtim me shenjën e trafikut.

Mirëpo, siç njofton Xhurkaj, drejtuesit e veturave në shenjë revolte, dyshohet se kanë kanosur zyrtarët policorë.

“Aty (policët) kishin hasur disa vetura të parkuara në kundërshtim me shenjën e trafikut dhe zyrtarët policorë kishin filluar të shqiptonin dënime mandatore. Pasi që u ishin shqiptuar tiketat nga ana e policisë, dy kundëvajtës, tani të dyshuarit, në shenjë revolte për një gjë të tillë, u ishin drejtuar me disa fjalë kërcënuese zyrtarëve policorë dhe njëri nga ta ishte nisur në drejtim të zyrtarit policor për ta sulmuar, por ishte ndaluar kur polici i kishte tërhequr vërejtjen që të mos i afrohej”, tha ai.

Ndër të tjera, Xhurkaj thotë se njëri nga të dyshuarit i kishte thënë zyrtarit policor “Do ta shohësh se kush jam unë, sepse unë e di ku rri ti dhe aty do të shihemi” dhe ca fjalë të tjera kërcënuese.

Nga një kafeteri kishte dalë edhe një person tjetër, i cili i kishte “këshilluar” dy të dyshuarit e tjerë që “hesapet” me policët “t’i lanin” pasi këta të fundit ta përfundojnë orarin e punës.

“Të njëjtat sjellje dhe fjalë kanosëse kishte pasur edhe kundërvajtësi tjetër. Në ato momente nga një kafeteri kishte dalë i dyshuari i tretë, i cili pasi kishte ndërhyrë në rast, u kishte thënë dy të dyshuarve të tjerë ‘Hajdeni, mos bani zhurmë këtu se këta po i njihni, e shihemi me ta kur ta kryejnë detyrën‘.”

Lidhur me rastin nga policia thonë se është njoftuar edhe prokurori kujdestar, me vendim të të cilit, tre të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë