Ambasada e Kosovës në Itali publikon datën kur fillon puna me palë

Ambasada e Kosovës në Itali ka njoftuar se do të rifillojë me ofrimin e shërbimeve konsullore pas lehtësimit të situatës me pandeminë COVID-19.

Përmes një njoftimi, kjo ambasadë bën të ditur se punë me palë do të fillojë me 3 qershor duke i respktuar masat adekuate dhe protokollin e sigurisë.

“Si pasojë e rrethanave aktuale dhe nevojës për t’u përshtatur dhe bashkëjetuar sipas protokolleve të sigurisë, natyra e proceseve të punës tonë detyrimisht është influencuar dhe kushtëzur lidhur me ofrimin e shërbimeve konsullore. Në këtë kuadër, ARKS-Romë ka marrë masat e nevojshme teknike për rihapjen progresive për publikun, në përputhje të plotë me të gjitha normat ligjore që parashikohen në udhëzimet e insitucioneve përgjegjëse”, thuhet në një njoftim.

Tutje ambasada ka publikuar edhe masat të cilat duhet t’i përfillin personat të cilët duan të marrin shërbime.

Njoftimi i plotë:

Njoftim!

Të nderuar bashkëatdhetarë,

lufta kundër pandemisë COVID-19 po merr një drejtim të ri, pas tërheqjes progresive të masave shtrenguese, kryesisht atyre lidhur me levizjen dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve në rajonet e ndryshme të Italisë.

Si pasojë e rrethanave aktuale dhe nevojës për t’u përshtatur dhe bashkëjetuar sipas protokolleve të sigurisë, natyra e proceseve të punës tonë detyrimisht është influencuar dhe kushtëzur lidhur me ofrimin e shërbimeve konsullore. Në këtë kuadër, ARKS-Romë ka marrë masat e nevojshme teknike për rihapjen progresive për publikun, në përputhje të plotë me të gjitha normat ligjore që parashikohen në udhëzimet e insitucioneve përgjegjëse.

Marrë parasysh këto zhvillime, ju informojmë se ecuria e punës me palët në ARKS-Romë do të rifillojë të mërkurën, datë 3 qershor 2020.

Masa parandaluese shëndetësore që duhet të respektohen në ambientitet e zyrave tona për mbrojtëjen e shëndetit janë detyrim ligjor i gjithësecilit nga ne, si për shtetasit që do të prezantohen, ashtu edhe për punonjësit që do të ofrojnë shërbimin që i kërkohet.

Si rrjedhojë, në vijim do të gjeni të listuara kushtet të cilat do të duhet të plotësohen dhe respektohen nga të gjithë, pa asnjë përjashtim.

Kushtet që duhet të respektohen nga secili shtetas janë:

hyrja në ambientet e zyrave tona do të mundësohet VETËM për personat të cilët paraprakisht kanë marrë termin/takimin nëpërmjet kontakteve tona si në vijim:

ARKS-Romë – Tel.06 853 5671; në e- mailin: [email protected];

përdorimi i maskës dhe dorezave është i detyrueshëm në ambietet e zyrave tona;

respektimi i distancës në mes të palëve është i detyrueshëm;

secili person duhet të paraqitet në zyrat tona i pajisur me lapsin/kimikun personal, në mënyrë që të evitohen në maksimun shkëmbimet dhe kontakti mes palëve;

personat që kanë rezervuar paraprakisht termin/takimin, duhet të prezantohen vetëm dhe të pashoqëruar nga familjarë/të afërm, me përjashtim të rasteve kur kjo parashikohet nga procedurat e ndryshme konsullore (si për shembull, prindërit që vijnë për shërbime për fëmijët e tyre të mitur, etj.);

hyrja ma radhë në ambientet e zyrave tona vetëm pasi pala e pranishme brenda të ketë kryer punë dhe të jetë larguar jashtë ambienteve.

Mos respektimi i këtyre normave dhe protokolleve të sigurisë, do të penalizojë kërkesën tuaj për marrjen e shërbimeve të dëshiruara. Ndaj lutemi, për të mirën e përbashkët, të respektoni dhe zbatoni me rigorozitet të gjitha kushtet e listuara më lart. Kapacitetet e punës dhe kushtet e pranimit të palëve do të evoluojnë dhe përditësohen në varësi të zhvillimeve të situatës epidemiologjike.

Për çdo paqartësi ose nevojë për informacione shtesë, jeni të lutur të kontaktoni paraprakisht me ne, përpara se të prezantoheni fizikisht në ambientet e zyrave tona. Kërkesa për termin/takimin me zyrat tona për marrjen e shërbimeve konsullore është detyrim për të gjithë ju.

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin,qëndrojmë në gatishmërinë tuaj për çdo nevojë dhe sqarim

SHARE