Albin Kurti në Klinë: 650 mijë euro investime për rritje të efiçiencës së energjisë në banesat sociale

Në tri ndërtesa të banimit social në qytetin e Klinës, ku jetojnë 220 banorë nga gjithsej 71 familje, janë duke u realizuar investime në vlerë prej 650 mijë eurosh për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe rritjen e efiçiencës së energjisë.

Punimet përfshijnë rinovimin e fasadës, termoizolimin, ndërrimin e dyerve, dritareve dhe çatisë, si dhe instalimin e klimave efiçiente për ngrohje e ftohje në secilën njësi banesore. Këto ndërhyrje po realizohen nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, me mbështetje nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes një granti të Bashkimit Evropian (90%) dhe pjesëmarrjes së Komunës së Klinës (10%).
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ministrin për Komunitete dhe Kthim Elbert Krasniqi, si dhe kryetarin e Komunës së Klinës Zenun Elezaj, vizituan nga afër punimet që janë tashmë në fazën përfundimtare.

Sipas të dhënave të projektit, pas përfundimit të rinovimeve, pritet që efikasiteti energjetik të përmirësohet ndjeshëm: në njërën nga ndërtesat do të ketë kursim deri në 50%, ndërsa në dy të tjerat 63% dhe 65%.
“Këto ndërtime do të ofrojnë kushte më të mira jetese për banorët dhe njëkohësisht do të ndihmojnë në uljen e konsumit të energjisë elektrike,” tha Kryeministri Kurti gjatë vizitës.

Ky projekt është pjesë e angazhimit të Qeverisë së Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm dhe promovim të efiçiencës së energjisë, veçanërisht për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë.