QKUK: Kryhet një intervenim i rrallë për herë të parë te një pacient 37-vjeçar në Kardiologji

ShSKUK ka njoftuar se në Klinikën e Kardiologjisë për herë të parë është kryer me sukses një intervenim i rrallë.

Bëhet fjalë për ablacionin radiofrekuent të takikardisë ventrikulare idiopatike të ventrikulit të majtë me qasje arteriale, te një pacient i moshës 37 vjeçare.

“Në Klinikën e Kardiologjisë, Shërbimi i Elektrofiziologjisë dhe Elektrostimulimit, për herë të parë u realizua me sukses ablacioni (djegia) radiofrekuent i takikardisë ventrikulare idiopatike të ventrikulit të majtë me qasje arteriale, te një pacient i moshës 37 vjeçare. Klinika e Kardiologjisë vazhdon të zgjeroj gamën e shërbimeve intervente në fushën e çrregullimeve të ritmit, me metodologji bashkëkohore dhe fal angazhimit e profesionalizmit të personelit të specializuar në këtë fushë. Këto procedura komplekse kryhen nën mbikqyrje të  ekspertëve të huaj dhe konform udhërrëfyesve  e rekomandimeve të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë (ESC)”, thuhet në njoftim.