AKV “Jehona e Dukagjinit” nga Klina shkëlqen në Festivalin e 11-të të “Talenteve të Reja” në Pukë

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Jehona e Dukagjinit” nga Klina, vazhdon të dëshmojë vlerat e tij artistike, duke përfaqësuar denjësisht kulturën dhe traditën kosovare në skenat shqiptare.

Këtë herë, ansambli mori pjesë në Festivalin e 11-të me radhë të “Talenteve të Reja”, mbajtur në qytetin e Pukës, në veri të Shqipërisë, një ngjarje e njohur për promovimin e talenteve të reja në fushën e muzikës dhe vallëzimit folklorik.

Performanca e anëtarëve të AKV “Jehona e Dukagjinit” u prit me entuziazëm nga publiku dhe u vlerësua lart nga juria profesionale, e kryesuar nga mjeshtri i njohur i muzikës shqiptare, prof. Zhani Ciko.

Si rezultat i paraqitjes së tyre të jashtëzakonshme, ansambli u nderua me tri (3) çmime të rëndësishme, duke shënuar një tjetër sukses të merituar për këtë formacion artistik./Klina info/