Aksident në rrugën Prizren – Gjakovë, goditet për vdekje këmbësorja 65-vjeçare

Ka vdekur një grua 65-vjeçare si pasojë e goditjes nga një veturë në rrugën Prizren–Gjakovë.

Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Shaqir Bytyqi i cili ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:50.

“Sot me datë 28.02.2023, rreth orës 18:50 është raportuar një aksident trafiku – goditje e këmbësorit me fatalitet. Rasti ka ndodhur në rrugën nacionale Prizren-Gjakovë saktësisht ne fshatin Piranë përball pompës. Sipas informatave të para viktima është e gjinisë femërore 65-vjeçare”, ka thënë ai.

Krahas kësaj, bëhet e ditur se në vend të ngjarjes kanë dalur edhe Prokurori i Shtetit dhe mjekët nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Lidhur me rastin një i dyshuar, 25-vjeçar është dërguar në mbajtje për 48 orë gjersa trupi i pajetë është dërguar në IML.