Abdixhiku: Programi LDK-së ‘Rruga e Re’ po merr formë, është koha të bëjmë kapercimin e madh në politikë

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka thënë se Programi politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ‘Rruga e Re’ po merr formë. Program ky i cili sipas tij do të ofrojë alternativa për zhvillim në çdo sektor.

Ndërsa tha se cinikët do t’I lënë në një anë, pasi që nuk kanë kohë të humbin, por se ata do të fokusohen në projekte konkrete.

“Cinizmin e cinikët, në thatësinë e mendimeve, do t’i lëmë në një anë. S’kemi kohë të humbasim. Është koha të flasim për ide e projekte konkrete. Është koha të bëjmë kapërcimin e madh dhe në politikë dhe në diskutime publike jashta saj. Urrejtja e popullizmit s’dallon fundja nga cinizmi. Të dyja janë boshe – e kjo shoqëri mundet më shumë se kaq. ‘Rruga e Re’ është zgjidhja”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Postimi i plotë i Abdixhikut :

Gjatë dy ditëve të fundit qëndruam bashkë me bartësit e ekipeve programore për të finalizuar rrugëtimin e ri që i duhet vendit tonë. ‘Rruga e re’ shtron hapur vizionin tonë për shërimin e polarizimit shoqëror që ka ngufatur vendin tonë tash e sa kohë; projekton rikthimin në fundamentet shtetare të Republikës – ato të lirisë e jo frikës, demokracisë e jo persekutimit, integrimit euroatlantik e jo izolimit.

Mbi të gjitha, ky program me mbi 30 kapituj, do të ofrojë alternativat tona për zhvillim në çdo sektor. Si program zhvillimor, puro zhvillimor, i mbështetur në ideologjinë e qendrës së djathtë, ‘Rruga e Re’ do të ofrojë jo vetëm projekte e nisma të mëdha, por dhe ide të domosdoshme të formësimit tonë shtetëror në dekadën në vijim. Për këtë jemi entuziastë të gjithë.

Falënderojë secilin profesionist që ka kontribuar e po kontribuon në këtë program tash e sa kohë. Puna e tyre e madhe po kulmon në një rrugëtim të ri për Kosovën. Falënderojë dhe gjithë akterët jashtëpartiak që me diskutime të hapura kanë bashkëdefinuar sfidat e Republikës. U jemi mirënjohës intelektualëve, gazetarëve, ligjëruesve, diplomatëve, aktivistëve të shoqërisë civile e sektorit privat që me ide e pjesëmarrje në takimet tona kanë formësuar këtë rrugëtim. Në kohën e publikimit të programit – në një Konventë të madhe programore – dhe pas saj, jemi të interesuar të marrim dhe komente e sugjerime tjera. Ato veçse na pasurojnë, edhe në raste të mospajtimit përmbajtësor.

Cinizmin e cinikët, në thatësinë e mendimeve, do t’i lëmë në një anë. S’kemi kohë të humbasim. Është koha të flasim për ide e projekte konkrete. Është koha të bëjmë kapërcimin e madh dhe në politikë dhe në diskutime publike jashta saj. Urrejtja e popullizmit s’dallon fundja nga cinizmi. Të dyja janë boshe – e kjo shoqëri mundet më shumë se kaq.

‘Rruga e Re’ është zgjidhja.

Ju ftojë ta përcjellni shpalosjen tonë në çdo hap