NË IAAP “FEHMI AGANI” NË KLINË, HAPET QENDRA E KARRIERËS

Në praninë e shumë personaliteteve, kryetarit të komunës së Klinës, z. Zenun Elezaj, drejtorit të arsimit z. Qemajl Sejdija, znj. Syzana Baja, Koordinatore e Programit të Solidar Suisse në Evropën Juglindore, përfaqësuesve të Solidar Suisse dhe ITED-it, Mario Carera, anëtar i bordit të Solidar Suisse, Felix Gnehm, drejtor ekzekutiv i Solidar Suisse, Christian Von Allmen, zyrtar i ngritjeve të fondeve publike, Cyrill Rogger, zyrtar, përfaqësuesve të bizneseve që kanë kontratë bashkëpunimi me shkollën, mësimdhënësve dhe nxënësve, u bë hapja solemne e Qendres së Karrierës.

Drejtori i shkollës z. Sami Bardheci, ndër të tjera u shpreh: Qendra e karrierës do ta ndihmoj nxënësin tonë që të orientohet më lehtë në profesion, do t’i ketë të gjitha informacionet për një karrierë të suksesshme, do t’i marrë njohuritë e nevojshme se si t’i menagjoj arritjet që ai i synon përmes shkollimit.

Kryetari i komunës z. Zenun Elezaj shprehi kënaqësinë që ka pasur mundësinë të kontribuoj për këtë qendër, ndërsa, drejtori i arsimit z. Qemajl Sejdija u shpreh i ngazëllyer që pati rastin të jetë pjesë e kontributit të hapjes së kësaj qendre.

Syzana Baja u shpreh se kjo qendër do të jetë e nxënësve, e prindërve dhe e gjithë komunitetit, qendër e cila do ta ndihmoj nxënësin për të marrë vendime të suksesshme për karrierë.

Realizimi i këtij projekti është rezultat i bashkëpunimit të komunës së Klinës, DKA-së, MASHT-it me organizatën Solidar Suisse dhe ITED. Organizatat në fjalë kanë mbështetur mbi dhjetë biznese të Klinës në vlerë prej rreth 50.000 euro në mjete (grante), ndërsa bizneset përfituese do të krijojnë mundësi për nxënësit e shkollës që të kryejnë praktikën profesionale.

Komuna e Klinës ka investuar në këtë projekt në vlerë rreth 8.000 euro në renovimin e sallës dhe pajisjen me inventar.
Qendrat e tilla sot janë të domosdoshme për avansimin e dijeve.