Hoxhë Blerim Musliu nga Klina: Edukimi i fëmijëve në moshë të vogël mbetet për gjithë jetën

Hoxha nga Klina, Blerim Musliu, ka publikuar një postim në rrjetet sociale ku ka theksuar rëndësinë e edukimit dhe mësimit të fëmijëve që në moshë të vogël, duke e krahasuar atë me “gdhendjen në gur”.

Ai shprehet se është një kënaqësi e veçantë të shohësh fëmijët që me vullnet grumbullojnë para për t’i dorëzuar në xhami, duke shtuar se këto veprime do të mbeten kujtimet më të bukura të tyre gjatë jetës dhe dëshmi për ta dhe prindërit e tyre, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.

Në postimin e tij, Musliu ndan edhe një kujtim personal nga fëmijëria, ku tregon se nëna e tij, pasi merrte qumështin nga bagëtitë, e dërgonte që një pjesë ta shpërndante te fqinjët. Sipas tij, ky veprim ishte gëzim dhe një nga kujtimet më të ëmbla që ruan edhe sot.

Në fund të postimit, Hoxhë Blerim Musliu lutet që Zoti t’i ruajë fëmijët dhe t’u mundësojë prindërve kënaqësi dhe shpërblim në këtë botë dhe në botën tjetër.